Komisioni për Ekonominë dhe Financat vijoi shqyrtimin e projekligjit “Për buxhetin e vitit 2023”

  • Postuar më, 01/11/2022

Në drejtimin e Kryetarit, z.Eduard Shalsi, komisioni për Ekonominë dhe Financat në cilësinë e komisionit përgjegjës  në mbledhjen e tij të radhës vijoi shqyrtimin e projekligjit “Për buxhetin e vitit 2023”Të ftuar në mbledhjen e komisionit ishin znj.Delina Ibrahimaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë dhe stafi teknik i MFE. Në nisje të mbledhjes, deputetja znj.Blerina Gjylameti në cilësinë e relatores bëri një përmbledhje të gjetjeve kryesore, duke parashtruar se projektbuxheti i vititi 2023 synon ruajtjen dhe konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit makroekonomik të vendit, krijimin e klimës për një rritje të lartë e të qëndrueshme ekonomike, si dhe konvergimin sa shpejt drejt nivelit mesatar të mirëqenies së Bashkimit Europian.  Më tej relatorja theksoi se projektbuxheti 2023 mban në konsideratë vlerësimet dhe rekomandimet e institucioneve financiare ndërkombëtare, si Komisioni Europian, FMN e Banka Botërore, si dhe të agjencive ndërkombëtare që mbikëqyrin ekonominë e vendit tonë. Ndër objektivat e projektbuxhetit 2023, znj. Gjylameti përmendi rritjen e të ardhurave të përgjithshme të buxhetit, që do të jetë faktor kyç për mbajtjen në kontroll të deficitit buxhetor dhe borxhit publik, rritjen e mbështetjes financiare të punonjësve në disa sektorë prioritarë, si dhe mbështetjen e shtresave në nevojë. Më pas ministrja Ibrahimaj iu përgjigj pyetjeve të ndryshme të deputetëve lidhur me minimumin jetik, përllogaritjen e mbështetjes së sektorit të energjisë, efektet e ndryshimeve të parashikuara në politikën fiskale, etj. 


Share