Kuvendi u mblodh në seancë plenare, u miratua një projektvendim dhe u paraqitën raportet nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”
- Postuar më, 31/10/2022

31 tetor 2022
Në drejtimin e Kryetares, znj. Lindita Nikolla, Kuvendi u mblodh sot në seancë plenare, ku u shqyrtuan dy raportet dhe rekomandimet e nxjerra nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”, si dhe u shqyrtua dhe miratua projektvendimi “Për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm “Për hartimin e shtesave dhe ndryshimeve në ligjin nr. 15/2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”, i cili u miratua me 74 vota pro, 3 kundër dhe 1 abstenim. Sipas projektvendimit, komisioni i posaçëm do të vijojë të kryejë aktivitetin e tij për një periudhë 3-mujore nga data e mbarimit të afatit të caktuar në Vendimin nr. 66/2022 të Kuvendit.
Raportet
Në nisje të shqyrtimit të raporteve të Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”, bashkëkryetarja e komisionit, znj.Anila Denaj, paraqiti në emër të grupit parlamentar socialist raportin e depozituar në Kuvend. Pasi bëri një parashtrim të të gjithë procesit dhe hapave të ndjekur, znj.Denaj nënvizoi se veprimtaria e komisionit të posaçëm ka qënë përgjithësisht e fokusuar te dëgjesat dhe se në fokus të punës për deputetët e mazhorancës ishte realizimi i progresit dhe kritereve të reformës administrativo-territoriale të ndërmarrë në vitin 2015 të vijojnë më tej dhe duke ruajtur që çdo propozim i ri: të ishte qendër e një zone funksionale; të kete qenë bashki përpara ndarjes territoriale të vitit 2015, si një zonë urbane që ka kapacitet dhe mundësitë për ofrimin e shërbimeve administrative dhe publike; të kishte një numër popullsie të caktuar për të garantuar që shërbimet e decentralizuara të vijojnë të konsolidohet dhe të jetë e garantuar mbështetja me staf të kualifikuar etj. Lidhur me propozimin e opozitës për shtimin e numrit të njësive të vetëqeverisjes vendore, znj.Denaj theksoi se nuk përshtatet me asnjë nga kriteret e vendosura dhe mbi të gjitha nuk garantojnë vijueshmërinë e realizimit të objektivave të synuara në reformën e vitit 2015. Znj. Denaj vijoi me nevojën, efektet pozitive që solli reforma administrativo-territoriale dhe hapat kryesorë të ndërmarra në mbështetje të bashkive të reja të krijuara pas reformës dhe decentralizimit të shërbimeve ndaj qytetarëve. Znj.Denaj theksoi se në komision u arrit të kuptohej se Refoma Administrativo-Territoriale e realizuar në vitin 2014 ishte e domosdoshme për t’i dhënë vetëqeverisjes vendore një frymëmarrje të re dhe hapësira më të mëdha vetëqeverisësë në shërbim të komunitetit; se ka arritur sukses në drejtim të demokracisë lokale, të autonomisë vetëqeverisësë si dhe në përmirësimin e ndjeshëm të performancës së NJVQV, etj. Në përmbyllje, znj. Denaj u ndal tek rekomandimet që anëtarët e mazhorancës në komisionin e posaçëm i kanë adresuar Kuvendit të Shqipërisë, ku mes tyre përmendi: vazhdimin e përpjekjeve të përbashkëta të Qeverisë dhe të gjithë aktorëve qëndrorë dhe lokalë, vendas dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, për konsolidimin e 61 NJVQV aktuale drejt krijimit të bashkive që realizojnë veprimtarinë e tyre bazuar në Parimet e Qeverisjes së Hapur, në parimin e Vetëqeverisjes Autonome që vepronë në interes të komuniteteve që përfaqësojnë, që mbështesin zhvillimin e konomik vendor dhe ofrojnë shërbime cilësore për komunitetin; qartësimi i funksioneve dhe kompetencave të 12 Këshillave të Qarqeve si njësi vendore të nivelit të dytë me rol të vecantë në zhvillimin rajonal si dhe garantimi i mbështetjes së nevojshme për 12 Këshillat e Qarqeve për ushtrimin efektiv të veprimtarisë së tyre; Konsultimin me komunitetet vendore, me të zgjedhurit dhe drejtuesit vendorë si dhe me ekspertë të pavarur te gjetjeve dhe nevojave për përmirësim të legjislacionit dhe propozimin e tyre për t’u përfshirë në Strategjinë Ndërsektoriale për Decentralizim dhe Vetëqeverisje Vendore 2023-2030; Trajtimin rast pas rasti nga ana e Qeverisë dhe e Kuvendit e kërkesave të veçanta për rishikim kufijsh ndërmjet fshatrave, për përkatësinë e fshatrave apo zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për territore dhe cështje pronësie ndërmjet NJVQV.
Në vijim, Bashkëkryetarja e Komisionit të posaçëm parlamentar “Për reformën administrativo-territoriale në Republikën e Shqipërisë”, znj. Dhurata Çupi, paraqiti në Kuvend raportin e propozuar nga Partia Demokratike duke kërkuar për ndarjen e re territoriale 33 bashki më shumë nga sa janë aktualisht. Në parashtrimin e saj znj. Çupi u shpreh se reforma e njëanshme territoriale, ka sjellë mungesë të shërbimeve për qytetarët dhe llogaridhënies në pushtetin lokal, duke theksuar se nevojitet një reformë e re më afër qytetarit, sepse pas 7 vitesh të zbatimit të reformës janë të qarta problematikat, mungesë e përfaqësimit të ish-komunave në Këshillin Bashkiak, mungesë e marrjes së shërbimeve nga qytetarët, mungesë transparencës dhe llogaridhënie, shpërndarje e shërbimeve publike e disbalancuar ndërmjet zonave urbane dhe rurale; etj. Më tej znj.Çupi u shpreh se reforma nuk arriti të ketë sukses në: Efektivitet dhe eficencë të demokracisë lokale, decentralizimit dhe përfaqësimit qytetar ;si dhe Efektivitet dhe eficensë të shërbimeve publike lokale.Më tej znj.Çupi paraqiti propozimet dhe rekomandimet e Partisë Demokratike, duke sqaruar se sipas tyre projektimi i autoriteteve administrativo-territoriale mund të hartohet në lidhje me një sërë parametrash: madhësia (territori, popullsia), funksionet (detyrat dhe kompetencat), autonomia (autoritetet shtetërore kundër vetëqeverisjes, varësitë fiskale dhe funksionale) dhe mënyra e funksionimit (prodhimi publik perkundër atij privat). Duke parashtuar propozimet, znj. Çupi sqaroi se PD ka kërkuar që në Qarkun Tiranë të shtohen 3 bashki të reja nga 5 që ka aktualisht; në Qarkun Fier të shtohen 4 Bashki të reja nga 6 që ka sot; në qarkun Durrës të shtohen 2 bashki të reja nga 3 që ka sot; në Qarkun Elbasan të shtohen 3 bashki të reja nga 7 që ka sot; në Qarkun Korçë të shtohen 5 bashki të reja nga 6 që ka sot; në Qarkun Vlorë TË shtohen 4 bashki të reja nga 7 që ka sot; në Qarkun Berat të shtohen 2 bashki nga 5 që ka aktualisht; në qarkun Lezhë të shtohen 4 bashki të reja nga 3 që ka sot, në qarkun Dibër të shtohen 4 bashki të reja nga 4 që ka aktualisht, në qarkun Kukës të shtohen 2 bashki të reja nga 3 që ka sot, ndërsa në qarqet Gjirokastër dhe Shkodër të mos ketë ndryshime. Nga riorganizimi territorial i propozuar nga PD, Qarku Korçë dhe Vlorë duhet të riorganizohen nga pikëpamja territoriale dhe administrative me nga 11 bashki, Qarku Elbasan dhe Fier me nga 10 bashki, Qarku Tiranë dhe Dibër me 8 bashki, Qarqet Gjirokastër, Berat me nga 7 Bashki, ndërsa Qarqet Durrës, Shkodër dhe Kukës me nga 5 bashki. Në përfundim të fjales së saj, znj.Çupi u ndal në disa rekomandime drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ku mes tyre renditi se: ndarjen e modelit të pushtetit vendor në Shqipëri të ndarë në dy nivele: bashki dhe rajone, si dhe paraqiti rekomandime mbi nevojën e ndryshimeve ligjore në ligjin për ndarjen territoriale, një strategji e re për decentralizmin dhe ushtrimi për decentralizimin asimetrik; azhornimin e ligjit për vetëqeverisjen vendore (139/2015) me funksionet e reja për të dy nivelet e pushtetit vendor; dhënia e mbështetjes dhe autonomi financiare dhe me çdo instrument bashkitë dhe rajonet; dhënies së statusit të veçantë me ligj të Bashkisë së Kryeqytetit, etj.
Seanca plenare vijoi me diskutime mbi raportet dhe rekomandime. Deputetët e mazhorancës vlerësuan gjatë diskutimeve se reforma territoriale ka sjellë ndryshime pozitive në drejtim të konsolidimit financiar, rritjes së autonomise financiare dhe shtimit të kapaciteteve njerëzore të njësive të vetqeverisjes vendore, por dhe në rritje të cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve, përfaqësimit dhe demokracisë vendore, etj. Deputetët e opozitës gjatë diskutimeve u shprehën se nevojitet një riorganizimi i bashkive dhe krijimi i bashkive të reja rurale, për të krijuar kushte për zhvillimin ekonomik lokal, rural, agroturizëm, por dhe reduktimin e pabarazive midis zonave rurale dhe urbane, si edhe krijimi i kushteve të domosdoshme për zhvillimin e qëndrueshëm dhe kontroll të territorit, përmirësim të shpërndarjes së burimeve njerëzore, përmirësimin e shërbimeve jetike publike.Seanca plenare i mbylli punimet në orën 21:30.