Komisioni për Ekonominë dhe Financat vijoi shqyrtimin e Paketës Fiskale 2023
- Postuar më, 31/10/2022

Në drejtimin e Kryetarit, z.Eduard Shalsi, komisioni
për Ekonominë dhe Financat në cilësinë e komisionit përgjegjës në mbledhjen e tij të radhës vijoi shqyrtimin
e Paketës Fiskale që shoqëron projekt-buxhetin 2023. Të ftuar në mbledhjen e komisionit ishin
znj.Delina Ibrahimaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë, znj. Vasilika Vjero,
zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, si dhe stafi teknik i MFE.
Në nisje të mbledhjes deputetja znj. Anila Denaj, në cilësinë e relatores së projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9920, datë
19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”,
bëri një përmbledhje të ndryshimeve të propozuara, duke renditur mes tyre: rritjen
e penaliteteve për disa kundërvajtje administrative tatimore, me synimin që të
ndikojnë pozitivisht në uljen e evazionit tatimor; parandalimin e shkeljeve që
përbëjnë evazion fiskal nga subjektet e biznesit të madh, uljen e
informalitetit kryesisht të këtyre shkeljeve nëpërmjet forcimit të
penaliteteve, të cilat pritet të ndikojnë pozitivisht në efikasitetin dhe
efektivitetin e sistemit tatimor; hartimin e kuadrit të nevojshëm ligjor mbi
procedurat që do të ndiqen nga administrata tatimore për kontrollin e
tatimpaguesve me të ardhura të larta; rishikimin e llogaritjes së gjobës për
mospagimin në afat të kësteve të tatimit mbi fitimin, me qëllim që të nxisë
tatimpaguesin në shlyerjen sa më parë të detyrimit;etj. Më pas deputetja znj. Pranvera
Resulaj, në cilësinë e relatores së projektligjit “Për një
ndryshim në ligjin nr.61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të
ndryshuar”, bëri një përmbledhje të ndryshimeve të propozuara, duke sqaruar se
ndryshimet synojnë: heqjen e akcizës për akumulatorët e
automjeteve elektrike; unifikimin e akcizës së birrës, me qëllim eliminimin e
diferencimit të akcizës për këtë artikull; eliminimin e diferencimit të akcizës
për pijet e forta alkoolike. Znj.Resulaj sqaroi se projektligji synon reduktimin
e mëtejshëm të hapësirave për shmangien nga pagesa e akcizës, si dhe masa që do
të bëjnë të mundur dekurajimin e importeve ilegale me mallrat e akcizës. Më pas
deputeti z.Alban Xhelili në cilësinë e relatorit të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.92/2014, “Për
tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, bëri një
prezantim të ndryshimeve të propozuara, duke sqaruar se ndryshimet konsistojnë mes
të tjerash në: trajtimin e importimit/furnizimit brenda vendit të artikujve të
përfshirë në kreun 4401 të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave, me efekt deri
më 31 dhjetor 2023, si furnizime të përjashtuara nga TVSH-ja; trajtimin e furnizimeve të
mallrave/shërbimeve, të destinuara për realizimin e projekteve të financuara me
fonde të marra në bazë të një marrëveshjeje donacioni/granti, të lidhur
ndërmjet Këshillit të Ministrave/Republikës së Shqipërisë dhe donatorëve të
huaj, si furnizime të përngjashme me eksportet; përjashtimin nga TVSH-ja në
import apo furnizimi brenda vendit i energjisë elektrike të destinuar për t’u
shitur nëpërmjet Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike. Më
pas mbledhja e komisionit vijoi me shqyrtimin në parim të Paketës Fiskale 2023,
gjatë së cilës ministrja Ibrahimaj iu përgjigj pyetjeve të deputetëve lidhur me
ndryshimet e parashikuara në 3 projektligjet e sipërpërmendur.