Shërbime

Në krye të administratës së Kuvendit qëndron Sekretari i Përgjithshëm, i cili sipas dispozitave kushtetuese është nëpunësi më i lartë civil i Kuvendit. Byroja e Kuvendit emëron, me propozimin e Kryetarit të Kuvendit, Sekretarin e Përgjithshëm mbi bazën e tre kandidaturave të dala nga procedura e konkurrimit, sipas ligjit “Për nëpunësin civil”. Administrata e Kuvendit, e përbërë prej rreth 300 punonjës, pjesa më e madhe e të cilëve e marrë me konkurs publik sipas ligjit të mësipërm, organizohet në shërbime, të cilat kryejnë detyra këshillimore, informuese, organizative dhe teknike në shërbim të veprimtarisë së deputetëve, Kuvendit dhe organeve të tij. Shërbimet e Kuvendit krijojnë mundësi dhe kushte të barabarta që deputetët, Kuvendi dhe organet e tij të kryejnë detyrat kushtetuese dhe ligjore. Shërbimet e Kuvendit përbëhen nga:

- zyra e Sekretarit të Përgjithshëm, në përbërje të të cilit janë sektori i projekteve, sektori i arkivës parlamentare, auditi dhe të gjithë shërbimet e tjera që kanë varësi nga zyra e sekretarit të përgjithshëm ;

– shërbimet legjislative, në përbërje të të cilit janë shërbimi i komisioneve, shërbimi i seancës plenare, shërbimi juridik, shërbimi i përafrimit të legjislacionit si dhe nga sekretariati i këshillit kombëtar për integrimin europian;

– shërbimet e informacionit dhe dokumentacionit, në përbërje të të cilit janë shërbimi i kërkimit parlamentar dhe bibliotekës, shërbimi i teknologjisë së informacionit, shërbimi i botimeve parlamentare dhe shërbimi i marrëdhënieve me publikun;

– shërbimi i monitorimit të institucioneve kushtetuese dhe atyre të pavarur të krijuar me ligj;

– shërbimi i marrëdhënieve me jashtë në përbërje të të cilit janë shërbimi i marrëdhënieve dy palëshe dhe shumëpalëshe, shërbimi protokollar dhe shërbimi i përkthimit;

– shërbimet administrative, në përbërje të të cilit janë shërbimi i trajtimit të deputetëve dhe i burimeve njerëzore, shërbimi i financës dhe buxhetit, shërbimi i transportit, shërbimi i mirëmbajtjes, zyra e protokollit dhe shërbimi i prokurimeve.

Shërbimet e Kuvendit drejtohen dhe përgjigjen para Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit. Ky i fundit siguron dhe kujdeset për mbarëvajtjen e punëve në Kuvend dhe përgjigjet para Kryetarit të Kuvendit dhe Byrosë së Kuvendit. Ai përgjigjet për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të Kuvendit. Struktura e detajuar dhe kufiri organik i punonjësve të Kuvendit vendosen nga Byroja e Kuvendit, me propozimin e Sekretarit të Përgjithshëm.