
LINDITA NIKOLLA
Kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë
Jetëshkrimi:
Znj. Lindita Nikolla u zgjodh Kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë më 10 shtator 2021.
Znj. Lindita Nikolla ka një përvojë të gjatë, rreth dy dekada, në institucionet dhe aktivitetin politik të vendit, duke kontribuar në veprimtarinë parlamentare, reformimin e sistemit arsimor, qeverisjen vendore, rritjen dhe fuqizimin e pjesëmarrjes shoqërore, ekonomike e politike të grave e vajzave etj.
Është zgjedhur deputete e Kuvendit të Shqipërisë në tre mandate: në zgjed¬hjet parlamentare të vitit 2013 u zgjodh deputete e qarkut të Tiranës; në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 dhe vitit 2021 u zgjodh deputete e qarkut të Lezhës. Si ligjvënëse, ka kontribuar në zhvillimin e legjislacionit, sidomos në fushën e arsimit, kërkimit shkencor dhe medias.
Znj. Nikolla ka një përvojë të gjatë qeverisëse. Gjatë viteve 2013-2017 ka shërbyer si Ministre e Arsimit dhe Sportit dhe gjatë viteve 2017-2019 si Ministre e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, në kabinetet e Kryeministrit Edi Rama. Gjatë shërbimit të saj si Ministre ka udhëhequr realizimin e reformave të rëndësishme në sistemin arsimor.
Prej shtatorit të vitit 2007, është anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Gjatë viteve 2003-2006 është zgjedhur Këshilltare e Këshillit të Njësisë Bashkiake Nr.1, në Tiranë. Gjatë viteve 2007-2013 është zgjedhur Kryetare e Njësisë Bashkiake Nr.1 Tiranë, për dy mandate: 2007- 2011 dhe 2011-2013. Gjatë shërbimit në këto funksione, ka kontribuar në rritjen e performancës së qeverisjes vendore në shërbimet publike ndaj komunitetit.
Ka marrë pjesë dhe ka referuar në mjaft veprimtari kombëtare e ndërkombëtare për çështje të edukimit, të tolerancës dhe paqes, bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë, rinisë, demokracisë në shkollë, edukimit demokratik qytetar, zgjidhjes së konflikteve, etj., të organizuara ose financuara nga Këshilli i Europës, UNESCO, SHBA, qeveria e Austrisë etj.
Znj. Lindita Nikolla është autore dhe bashkëautore e disa botimeve: “Për shkollën ndryshe”, manualet: “Edukimi i të drejtave të njeriut në shkollë”, “Shkolla dhe Policia së Bashku për Ndryshim”, “Problematika gjinore në qeverisjen vendore”, si edhe i mjaft artikujve për çështje të demokracisë, arsimit, barazisë gjinore, fuqizimit të grave, rinisë, drejtimit të shkollës etj.
Në fillimet e karrierës së saj profesionale, ka shërbyer si mësuese e matematikës dhe drejtuese në disa gjimnaze në Tiranë.
Znj. Lindita Nikolla ka kryer studimet universitare dhe është diplomuar në degën Matematikë, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës, në vitin 1989.
Ka kryer studimet pasuniversitare dhe ka fituar Diplomën Mas¬ter në Administrim Publik, drejtimi Pushtet Ekzeku¬tiv, në Albanian University në Tiranë, në korrik 2010.
Në qershor të vitit 2008 ka përmbyllur kualifikimin pranë Akademisë mbi qeverisjen vendore dhe policimin komunitar në Universitetin e Pitsburgut në SHBA. Gjithashtu, në dhjetor të 2007 ka përfunduar Akademinë politike për udhëheqësi dhe reformë të NDI.
Znj. Lindita Nikolla lindi në Tiranë, më 22 tetor 1965.
Është e martuar me Prof. Ligor Nikolla dhe janë prindër të një vajze, Livias, e cila ka përfunduar studimet universitare në Francë.
FUNKSIONET E KRYETARIT TË KUVENDIT
Kryetari i Kuvendit zgjidhet menjëherë pas betimit të deputetëve. Kandidati për Kryetar të Kuvendit propozohet me shkrim nga të paktën 15 deputetë. Kryetari i Kuvendit zgjidhet me votim të fshehtë me shumicën e votave në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë deputetëve.
Kryetari i Kuvendit përfaqëson Kuvendin në marrëdhënie me të tretët.
Kryetari i Kuvendit siguron respektimin e të drejtave të Kuvendit dhe të anëtarëve të tij. Ai kujdeset për zhvillimin e veprimtarisë parlamentare dhe organeve të Kuvendit në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, Kryetari u jep fjalën deputetëve dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, drejton dhe moderon debatet, siguron rendin në seancë plenare, cakton radhën e votimeve dhe njofton rezultatin e tyre.
Kryetari i Kuvendit drejton dhe thërret mbledhjet e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, si dhe Byronë e Kuvendit dhe Konferencën e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare.
Kryetari i Kuvendit përfaqëson Kuvendin në marrëdhënie me të tretët.
Kryetari i Kuvendit siguron respektimin e të drejtave të Kuvendit dhe të anëtarëve të tij. Ai kujdeset për zhvillimin e veprimtarisë parlamentare dhe organeve të Kuvendit në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, Kryetari u jep fjalën deputetëve dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, drejton dhe moderon debatet, siguron rendin në seancë plenare, cakton radhën e votimeve dhe njofton rezultatin e tyre.
Kryetari i Kuvendit drejton dhe thërret mbledhjet e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, si dhe Byronë e Kuvendit dhe Konferencën e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare.
Veprimtaria
Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti delegacionin e Partisë “Aleanca për shqiptarët” nga Maqedonia e Veriut
Data: 02/11/2022
FOTO LAJM/Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, në pritjen e organizuar nga Ambasada e Turqisë me rastin e Ditës së Republikës
Data: 31/10/2022
Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, u takua me Presidentin e Kroacisë, z. Zoran Milanovic
Data: 26/10/2022