Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilloi dëgjesa me ILDKPKI, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Presidencën për projekt-buxhetin e vitit 2023

  • Postuar më, 02/11/2022

2 nëntor 2022

Në drejtimin e kryetares znj.Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në vijim të shqyrtimit të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2023”, zhvilloi dëgjesa me tre institucione të pavarura: ILDKPKI, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Presidencën lidhur me parashikimet buxhetore për vitin 2023 dhe adresimin e nevojave për mbështetje financiare që mund të kenë dhe nëse janë adresuar në projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm. 

Në seancën e parë komisioni fillimisht zhvilloi dëgjesë me z. Arbër Basholli, Sekretar i Përgjithshëm i ILDKPI dhe znj. Mirela Gega, Drejtoreshë e Buxhetit të ILDKPI, të cilët bënë një parashtrim të shkallës së realizimit të buxhetit për vitin 2022, buxhetit të planifikuar dhe nevojave buxhetore të paraqitura për vitin e ardhshëm për institucionin që përfaqësonin. Ndër të tjera znj.Gega sqaroi se për buxhetin e vitit 2023 për ILDKPI janë parashikuar 177 milionë lekë, të ndara për shpenzime korrente 174 mln lekë, ndërsa investime 3 mln lekë dhe vlerësoi se përgjithësisht fondi është i mjaftueshëm për të përmbushur nevojat buxhetore të institucionit, megjithatë sipas saj përpara ILDKPI janë shtuar disa detyra të reja të domosdoshme të cilat kërkojnë gjetjen e burimeve financiare. Më konkretisht znj.Gega kërkoi një shtesë fondi tek zëri i shpenzimeve për kryerjen e disa aktiviteteve që duhen zhvilluar në kuadër të procesit të integrimit, por dhe në zërin e investimeve që lidhen me  vënien në funksion të sistemit elektronik të deklarimit të pasurisë.

Në seancën e dytë komisioni zhvilloi dëgjesë me z. Alfred Balla, Kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili bëri një prezantim të shkallës së realizimit të buxhetit për vitin 2022 dhe buxhetit të planifikuar për vitin e ardhshëm. Në fjalën e tij, z. Balla shpjegoi se buxheti për vitin 2022 është realizuar plotësisht dhe parashtroi nevojën për mbështetjen e miratimit të strukturës së re, e parashikuar me një shtesë numri punonjësish nga 65 që është aktualisht në 78 punonjës, e cila nevojitet për realizimin e objektivave të institucionit. Më tej z.Emis Cërrava, Sekretar i Përgjithshëm i KLP, parashtroi nevojën për shtesë fondi për zërin e shpenzimeve, të cilat do të përdoren për pajisje IT, dixhitalizim arkive, etj.

Në seancën e tretë komisioni zhvilloi dëgjesë me z.Florian Kali, Sekretar i Përgjithshëm i Presidencës, i cili parashtroi disa kërkesa për fond shtesë, ku mes të cilave përmendi rikonstruktimin e godinës së institucionit të Presidencës, rritjen e pagave, shtimin e numrit të punonjësve deri në 10 persona dhe gjithashtu një fond për rritjen e shpenzimeve të lidhura me veprimtarinë e Presidentit.


Share