Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi dy projektligje

  • Postuar më, 01/11/2022

1 nëntor 2022

Në drejtimin e kryetares, znj.Mimi Kodheli, komisioni për Politikën e Jashtme në mbledhjen e radhës në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi mori në shqyrtim dy projekligjet: “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes Istisna’a dhe të marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së Agjencisë Istisna’a, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Islamike për Zhvillim, për ndërtimin e segmentit Qukës-Qafë Plloçë, si pjesë e korridorit rrugor Tiranë-Korçë, ratfikuar me ligjin nr. 128/2013” dhe “ Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për bashkëpunimin financiar e projektit madhor në albanologji “Enciklopedia shqiptare”. 

Projektligji i parë u prezantua nga znj.Enkelejda Muçaj, zëvendësministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila në fjalën e saj u ndal tek objektivat që priten të arrihen nëpërmjet këtij projekti infrastrukturor dhe tek qëllimi i ndryshimit të marrëveshjes bazë, e cila synon plotësimin e financimit të nevojshëm shtesë për përfundimin dhe vënien e tij në shfrytëzim të segmentit Qukës-Qafë Plloçë. Ndër objektivat e pritshme znjMuçaj renditi ndërtimin e një aksi rrugor totalisht të ri, si një alternativë e re ndërlidhjeje e Rajonit Juglindor të Shqipërisë me zonat metropolitane Elbasan, Tiranë, Durrës; “në planin makro-ekonomik dhe strategjik rajonal, kjo arterie e re rrugore, si pjesë e korridorit-8 Panevropian, krijon një mundësi të re komunikimi me shtetet fqinje ballkanike, si Greqia dhe Republika e Maqedonisë së Veriut, si dhe lidhjen e këtij korridori me portet shqiptare; krijimin e hapësirave të reja të zhvillimit të turizmit lokal, etj.Deputeti z.Besjon Ajazi në cilësinë e relatorit vlerësoi rëndësinë e projektligjit për shkak të përfitimeve që do të sjellë ky aks rrugor në zhvillimin zonal, por dhe ndërlidhjes me vendet fqinje, si dhe u fokusua në përputhshmërinë e tij me legjislacionin vendas dhe ndërkombëtar. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Më tej mbledhja e komisionit vijoi me shqyrtimin e  projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për bashkëpunimin financiar e projektit madhor në albanologji “Enciklopedia shqiptare””, i cili u prezantua nga Akademiku z. Vasil Tole, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave. Në parashtresën e tij z.Tole u ndal në rëndësinë e projektit, i cili është një nga 3 projektet më madhore që Akademia e Shkencave ka ndërmarrë pas reformimit të saj dhe se kjo do të jetë hera e parë që Shqipëria po ndërmerr hartimin e një Enciklopedie, që për vendet e tjera europiane është e shndërruar në traditë. Z.Tole sqaroi se projekti sjell nevojën për bashkëpunimin me Akademinë e Shkencës së Kosovës, pas dakordësimit të dy qeverive për bashkëfinancimin e këtij projekti që do të zgjasë për një periudhë 5 –vjeçare dhe puna pritet të fillojë nga janari i vitit 2023.  Deputetja znj. Hatixhe Konomi vlerësoi rëndësinë e projektligjit, e cila sipas saj vjen në kuadër të disa projekteve të përbashkëta të realizuara nga dy qeveritë. Pas pyetjeve dhe diskutimeve komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.


Share