Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilloi dëgjesa me Gjykatën Kushtetuese dhe Komisionerin e Mbikëqyrjes së Shërbimit Publik për projekt-buxhetin e vitit 2023

  • Postuar më, 01/11/2022

1 nëntor 2022

Në drejtimin e kryetares znj.Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në vijim të shqyrtimit të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2023”, zhvilloi dëgjesa me dy institucione të pavarura: Gjykatën Kushtetuese dhe Komisionerin e Mbikëqyrjes së Shërbimit Publik lidhur me parashikimet buxhetore për vitin 2023 dhe adresimin e nevojave për mbështjeje financiare që ata kanë. 

Në seancën e parë komisioni fillimisht zhvilloi dëgjesë me z. Eugen Papandile, Sekretar i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese, i cili bëri një parashtrim të shkallës së realizimit të buxhetit për vitin 2022, buxhetit të planifikuar dhe nevojave buxhetore të paraqitura për vitin e ardhshëm. Ndër të tjera z.Papandile sqaroi se shkalla e realizimit të buxhetit për vitin 2022 është realizuar plotësisht, ndërkohë që për vitin 2023 kërkoi një shtesë mbi fondin e parashikuar për investimet në 3 projekte, mes të cilave përmendi: projektin për rritjen e sigurisë kibernetike dhe sistemin anti-zjarr, për të cilin ka lindur nevoja të rinovohet për shkak të amortizimit të godinës.  Në seancën e dytë komisioni zhvilloi dëgjesë me znj. Pranvera Strakosha, Komisionere e Shërbimit të Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil, e cila bëri një prezantim të shkallës së realizimit të buxhetit për vitin 2022 dhe buxhetit të planifikuar për vitin e ardhshëm.  Në fjalën e saj, znj. Strakosha sqaroi se deri më tani buxheti për vitin 2022 është realizuar në nivelin 80% dhe parashikohet që deri në fund të vitit të realizohet plotësisht, ndërkohë që me parashikimin buxhetor për vitin 2023 u shpreh se përmbush nevojat e institucionit dhe nuk paraqiti kërkesa shtesë.


Share