Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti delegacionin e Partisë “Aleanca për shqiptarët” nga Maqedonia e Veriut
- Postuar më, 02/11/2022

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti sot delegacionin e Partisë “Aleanca për shqiptarët” nga Maqedonia e Veriut. Në takim ishin të pranishëm z. Arben Taravari, Kryetar i Partisë dhe Kryetar i Komunës së Gostivarit, znj. Ilire Dauti, deputete, dhe z. Isen Shabani, Kryetar i Komunës së Vrapcishtit.
Kryetarja Nikolla nënvizoi se “Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë një faktor i rëndësishëm i zhvillimit, demokratizimit dhe evropianizimit të vendit fqinj si edhe një urë miqësie mes dy vendeve tona. Partitë shqiptare kanë një kontribut të rëndësishëm në përshpejtimin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Prandaj rritja e përfaqësimit politik të shqiptarëve në vendin fqinj u shërben jo vetëm aspiratave dhe të ardhmes së tyre, por edhe zhvillimit, demokratizimit dhe evropianizimit të Maqedonisë së Veriut.”
Kryetari Arben Taravari dhe anëtarët e delegacionit vunë në dukje përparimin e arritur në përfaqësimin politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, kontributin progresiv dhe konstruktiv të komunitetit të shqiptarëve dhe të forcave politike shqiptare në zhvillimin dhe nxitjen e mbështetjen e agjendës evropiane të vendit fqinj si edhe bashkëpunimit të ngushtë dhe marrëdhënieve miqësore me Shqipërinë.