Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë zhvilloi dëgjesa me Ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për projekt-buxhetin 2023

  • Postuar më, 31/10/2022

Në drejtimin e Kryetares znj.Grida Duma,  Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë nisi shqyrtimin në parim të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2023”, duke zhvilluar në dy mbledhje të ndryshme dëgjesa për projekt-buxhetet e parashikuara për vitin e ardhshëm për Ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Fillimisht, znj.Bora Muzhaqi, Ministre e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët paraqiti përpara komisionit planifikimin në projekt-buxhetin e vitit 2023 për Agjencinë Kombëtare të Rinisë, që është zbatuesi i politikave rinore, Programit të Kodimit për fëmijët e klasës së parë, Programit të Ekipeve Sportive dhe Programit jashtëshkollor për fëmijët dhe të rinjtë, etj. Në fjalën e saj znj.Muzhaqi u ndal në mënyrë të veçantë në hartimin dhe fazat e para të implementimit të Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029, e cila synon së pari mbështetjen e të rinjve dhe rritjen e rolit të tyre në vendimmarrje; e së dyti nxitjen e inovacionit rinor dhe rritjen e profesionalizmit nëpërmjet një edukimi cilësor në fushën e teknologjisë së informacionit dhe fusha të tjera të zhvillimit dixhital, e së treti në mirërritjen aktive dhe të shëndetshme fiziko-sociale të të rinjve. Znj. Muzhaqi sqaroi se fondi për mbështetjen e organeve të vetëqeverisjes vendore për të rinjtë është në shumën e 50 milionë lekëve dhe synon mbështetjen e  krijimit të ambienteve për të rinjtë, qendra rinore, biblioteka, etj.

Më pas mbledhja vijoi me një seancën dëgjimore me znj.Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila bëri një paraqitje të parashikimeve buxhetore për institucionin që drejton për vitin 2023, objektivat që synohen të arrihen dhe investimet e parashikuara në vitin e ardhshëm.  Znj.Manastirliu parashtroi se buxheti për shëndetësinë parashikohet në vlerën 95.1 miliardë lekë dhe  zë 14 % të totalit të shpenzimeve publike të Buxhetit të Shtetit dhe përllogaritet 3.2 mld më shumë ose 3.5 % më i lartë se buxheti i vitit 2022.

Znj.Manastirliu nënvizoi se buxheti është dy herë më i lartë se ai në vitin 2013 dhe 30% më i lartë se 2019, që ishte dhe një vit përpara pandemisë Covid-19.

“Për sektorin e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, buxheti financon 6 programe. Ky është një buxhet i cili për sa i përket shpenzimeve korrente, mbërrin në vlerën 74.4 mld lekë dhe përsa i përket financimeve në lidhje me investimet kap vlerën e 3.6 mld lekë”,sqaroi znj.Manastirliu, duke shtyar më tej se rritja e buxhetit për vitin 2023 do t’i dedikohet rritjes së pagave për punonjësit e shëndetësisë me 6%, duke filluar nga korriku vitit 2023, zgjerimin e skemës së rimbursimit të barnave falas për qytetarët duke mundësuar më shumë trajtime dhe alternative mjekimi për skemën e rimbursimit. Ministrja Manastirliu nënvizoi se buxheti 2023 siguron mbështetjen e mbi 410 mijë qytetarëve, në përgjigje të trajtimit të sëmundjeve kronike dhe impaktit post-Covid për rimbursimin e barnave falas, testim dhe vaksinimit anticovid, vaksinimit ndaj gripit, programit të plotë të imunizimit të fëmijëve si dhe financimit për të parën herë të vaksinave falas kundër Human Papilloma Virus, nga e cila përfitojnë rreth 15.000 vajza, etj.  Më pas ministrja iu përgjigj pyetjeve të deputetëve lidhur me nevojat dhe parashikimet buxhetore dhe skemat e mbrojtjes së shtresave në nevojë, ofrimin e shërbimeve spitalore falas, sistemi parësor, shërbimin e urgjencës, ndihmën ekonomike, minimumin jetik, etj.


Share