Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi dëgjesa për projekt-buxhetin e vitit 2023 për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile
- Postuar më, 31/10/2022

31 tetor 2022
Në drejtimin e kryetarit, z. Nasip Naço, Komisioni për Sigurinë Kombëtare vijoi shqyrtimin në parim të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2023”, duke zhvilluar në dy mbledhje të ndryshme dëgjesa për projektbuxhetet e parashikuara për vitin e ardhshëm për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile.
Në seancën e parë, në mbledhjen e komisionit ishin ftuar z.Ulsi Manja, ministër i Drejtësisë dhe z.Admir Abrija, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Ministri Manja bëri një prezantim të mbështetjes buxhetore të parashikuar për sistemin peritenciar, por edhe prioritet e Ministrisë së Drejtësisë, të cilat do të mbështeten nga projekt-buxheti i vitit 2023.
Z.Manja parashtroi se buxheti i Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2023 është parashikuar në shumën e 11.9 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 0.8% në krahasim me vitin 2022. “Ky buxhet garanton së pari efektet shtesë të rritjes së pagave së Policisë së Burgjeve, mesatarisht me 18.66% dhe në nivelin bazë nga 16% deri në 34%”, u shpreh z.Manja. duke shtuar më tej se rritja e pagave është bërë efektive që prej datës 1 shtator 2022 dhe se kjo shtesë, e cila do të jetë e përhershme, i barazon për mënyrën e trajtimit me efektivët e Policisë së Shtetit. Ministri shtoi se buxheti 2023 akomodon uniformat e reja për policinë e burgjeve të cilat janë në proces, si dhe i hap rrugën ndërtimit të institutit për rehabilitimin të të miturve në Mëzez, Tiranë. “Me ndërtimin e këtij instituti ndoshta do të jemi nga të paktët vende në Rajon, që do të kemi një institut modern të trajtimit dhe rehabilitimit të të miturve në konflikt me ligjin”, nënvizoi ministri Manja, duke shtuar se një nga prioritet e Ministrisë së Drejtësisë do të jetë nisja e ndërtimit të burgut të grave në Tiranë, një pjesë e të cilit do të mbështet nga financimet e huaja, por dhe fuqizimin e kapaciteteve të Mjekësisë Ligjore, rikonstruksion të Spitalit të Burgut në Tiranë, etj.
Më pas komisioni zhvilloi një dëgjesë me Drejtorin e Përgjithshëm të Emergjencave Civile, z. Haki Çako, i cili bëri një prezantim të detajuar të zbatimit të buxhetit 2022, projekt-buxhetit të parashikuar për vitin e ardhshëm, investimeve dhe nevojave buxhetore për përmbushjen e objektivave të punës së institucionit që drejton për vitin 2023. Ndër të tjera z.Çako theksoi se fondi i akorduar për mbrojtjen civile ka shënuar rritje krahasuar me një vit më parë, të cilat do të përdoren kryesisht për investime që do të përdoren për sigurimin e infrastrukturës logjistike efikase për mbështetjen e aksisioneve humanitare në raste fatkeqësisht natyrore, sigurimit të informacionit përmes shërbimit satelitor, etj.