Koordinatori për shoqërinë civile
Mirësevini në faqen e informimit mbi bashkëpunimin mes Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Grupeve të Interesit dhe Organizatave të Shoqërisë Civile.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë sanksionon parimet e shtetit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Një nga këto të drejta është dhe ajo e organizimit kolektivisht, për çfarëdo qëllimi të ligjshëm, e cila i garanton individit pjesëmarrjen aktive në shoqëri. Garantimi i kësaj të drejte u siguron individëve pjesëmarrjen në proceset vendimmarrëse në të gjitha nivelet. Pjesëmarrja e publikut në procesin vendimmarrës të Kuvendit të Shqipërisë, i sjell individët më afër qeverisjes duke u krijuar mundësinë që të adresojnë problemet dhe të ofrojnë zgjidhje të përshtatshme për to; të vlerësojnë rezultatet e zbatimit të politikave, të mbikëqyrjes së veprimtarisë së të zgjedhurve të tyre për t’i bërë ata më të përgjegjshëm, etj.
Byroja e Kuvendit me vendim nr. 17, datë 11.11.2014 ka miratuar, “Manual i pjesëmarrjes së publikut në procesin vendimmarrës të Kuvendit”.
Manuali i pjesëmarrjes së publikut në procesin vendimmarrës të Kuvendit është një burim për të nxitur dhe siguruar pjesëmarrjen e shoqërisë civile në funksionin legjislativ dhe atë mbikëqyrës të Kuvendit të Shqipërisë. Pjesëmarrja, sidomos e shoqërisë civile në procesin ligjvënës të Kuvendit i shërben përmirësimit të cilësisë së legjislacionit të shqyrtuar dhe miratuar. Ajo merr rëndësi të veçantë kur diskutohen çështje që kanë të bëjnë me grupe në nevojë si personat me aftësi të kufizuar, gratë, fëmijët, minoritetet, etj. Ky manual, synon t’i japë mundësinë publikut, që nga qytetari më i thjeshtë e deri tek organizatat jofitimprurëse të shndërrohen në pjesëmarrës aktivë të zhvillimit të komunitetit ku bëjnë pjesë dhe në ofrues të përmirësimit të politikave ligjore, nga të cilat preken. Në këtë manual, pjesëmarrja e publikut është trajtuar në kuptim të: informimit, konsultimit, dialogut dhe partneritetit.
Veprimtaria e Kuvendit është e hapur, me përjashtim të rasteve kur Kuvendi vendos ndryshe, në kushtet e përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë.
Ju faleminderit për bashkëpunimin!
Koordinatori me Grupet e Interesit
Ejona Manjani
Plotësoni dhe dërgoni formularin në adresën ejona.manjani@parlament.al
Tel: +35542278390
Nr.cel: +355 69 663 0436
Adresa: Bulevardi Deshmorët e Kombit nr.4, Tiranë
Orari: E hënë – E premte 08:00 – 16:00